ODEON - K.Traboini poezi e shqipërime 2016



ODEON - PËR GJËRA QË NGJASIN
vëllim i ri poetik i Kolec Traboinit

Pas librave me poezi “E kam Atdheun tek Porta”, “Fajin e ka Hekuba” dhe “Orakujt zbresin në ferr”, botuar në tre vitet e fundit, Kolec Traboini vjen në 2016 me vëllimin poetik “Odeon për gjëra që ngjasin”. Ndryshe prej vëllimeve të mëparshme, në botimin e ri autori krahas meditimeve të tij kryesisht në lëvizje këndej e andej Atlantikut - nga Tirana në Washington dhe anasjelltas - ai sjell edhe një përzgjedhje nga autorët më të njohur amerikanë, të cilët i ka shqipëruar gjatë qëndrimit në Amerikë. Pra kemi në këtë libër bashkimin e krijimtarisë personale me sprovëzën e shqipërimit të disa poetëve amerikanë duke prurë në shqip, jo pak por njëzet autorë. Në krijimet e Traboinit kemi një optikë në lëvizje që fokuson një mori gjërash që ngjasin përreth autorit, një ndjekje hap pas hapi të udhës së tij, rrëfime emocionale nëpër linja, aeroporte, apo ajo çfarë përjeton, fjala vjen, gjatë kalimit nga Tirana për në Vjenë. Pa harruar edhe udhëtimin me taksi nga aeroporti Dulles në Virgjinia drejt kryeqytetit amerikan Washington DC. Kemi një shpalosje emocionale të mbresave që i sjell kalimi në rrugëdaljen për Baltimore, siç e titullon poezinë e tij autori, qytet në breg të oqeanit ku mbylli jetën tragjikisht Edgar Allan Poe. Këtij poeti të madh i kushton një poezi, ndërkohë sjell të shqipëruar edhe dy poezi të Edgar Allan Poes “Vetmi” dhe “El Dorado”. Objeksioni poetik i Traboinit përmbledhur në “Odeonin” e tij është kthjelltësisht deri në detajet më të imta i fokusuar në marrëdhëniet njerëzore: “Kur të marrësh udhën për të dalë”, “Ajo nuk më puthi kur ika” apo “Përsiatje për Vjenën”, “Bangladesh”, “Kapela ime në Washington”, “Kush dreqin ishte ky Charles Bukowski”, “Unë tani rri me Tomin” etj. Tek poezia “Kur të marrësh rrugën për të dalë” ka një mbyllje mjaft të ndjerë bashkë me kuptimin filozofik të largimit nga vendlindja, e kjo ndodh në kohën tonë ku jeta e çdo shqiptari në një farë mënyre është kthyer në një Itakë: “Në çdo ikje është mirë të dish se pjesë e ikjes janë edhe mosardhjet mirë është ta dish para se të ikësh...”. Kësisoj në ndarjen nga Atdheu kemi shprehjen e një emocioni sublim që është parë me gjetje të bukura edhe në vëllimet e mëparshme. Ato i përkasin jetës prej mërgimtari në dy dekada të jetës së vet, gjatë të cilës, ka qenë i detyruar shpesh herë të lëvizte tej e përtej hapësirave oqeanike. Kjo hapësirë kaq jetike në jetën e autorit ndjehet në këtë vëllim më shumë se në asnjë libër tjetër. E kësaj natyre është dhe poezia “Zëri i detit” ku të bëhet se të ndjek hap pas hapi shushurima e valëve me mallin e përvëluar për brigjet e kaltra që lë pas. Në vëllim spikatin poezi si “E bukur kjo ditë si grua”, që përshkruan 21 marsin, që është dita botërore e poezisë e autori këtë kremtim poetik e gjen të mishëruar në harlisjen e lule kumbullave të kuqe në një nga rrugët më të bukura të Tiranës. Shkak emocional ky që kjo ditë pranvere t’i shfaqet poetikisht me hiret e një gruaje të bukur. Eh, sot qenka një ditë e bukur por edhe e trishtë qenka kjo ditë e trishtë sepse sa i prek me dorë gjërat më ikin si petalet e borës së bardhë në faqet e një vajze që ende s’e ka njohur dashurinë e parë as puthjen e aty fluturzat e borës ujësohen avullohen e treten në qiell. Edhe në këtë libër autori Traboini ruan lidhjet emocionale me vendin e origjinës së tij. Thua nuk ka libër pa një dedikim për Traboinin e Hotit, vendlindjen e atit ku prehen eshtrat e të parëve brez pas brezi. Kësaj herë vjen poezia “Fluturo ti shqipja e Hotit”, “Mos ma preni degën e Lisit” dhe “Një zog që këndon”. Në vëllimin “Odeon” autori ka përfshirë dhe tri poezi të gjata në shtratin e një poeme të cilat janë krijime poetike mbështetur nga ngjarjet reale. 
Poezinë “Dyzetegjashtë” ja kushton një fshati martir, Belegut, të masakruar në Kosovë, ku të gjithë burrat e djemtë e fshatit u ekzekutuan nga ushtria pushtuese serbe më 29 mars të vitit 1999. Poezia është si një memorial i mermertë ku janë skalitur të gjithë emrat e viktimave duke përfshirë dhe të rinj 17 vjeçarë. 

Ju mund të thoni çfarë të doni, 
diplomatë të huaj - mbillni 
ullinjtë e paqes na thoni 
e ne do t’i mbjellim ullinjtë 
se luftën kurrë s’e kemi dashur 
në këto troje arbërore 
ku erdhën, na vranë 
e na dogjën. 
Mund të na thoni: 
“Mos shihni pas! 
Harroni plagët e luftës!” 
por plumbat që kemi 
në gjoks nuk është e lehtë 
t’i harrojmë. 
Kemi aq dhimbje 
sa vetë zemra na peshon 
si plumb 
se ata ishin 46 
e tash nuk janë më askund! 

Te poezia “Zero pas njëshit” gjen motiv nga vrasja e një bankieri të njohur shqiptar, akt i kryer në mes të kryeqytetit pa arritur kurrë të merret vesh e vërteta e këtij akti barbar. Këtu gjen shfaqje poezia me shqetësime qytetare, ajo që quhet reflektimi dhe protesta shoqërore, tematikë e problematikë të cilën poeti Traboini gjithherë në krijimtarinë e tij e ka trajtuar me guxim. Mjaftojmë të kujtojmë poemën e tij madhore “Orakujt kanë zbritur në ferr”, një punë këmbëngulëse që ka në vëmendje gjithçka që ka ngjarë në jetën e popullit në një periudhë mbi rreth 20-vjeçare. 
Poema “11 minuta” kushtuar studentes Klea, që e thyer prej dashurisë kreu vetëvrasje, është mjaft emocionuese. Poema e ndjek veprimin minutë pas minute të ngjitjes në katin e 11-të ku shkoi të fluturonte si mjellmë në qiellin e dhjetorit me re e shi. Fjalët e kursyera janë si gurët e një mozaiku, i cili ka një përmbajtje tragjike e të dhimbshme, pikërisht atë ditë që bota festonte e lindjen e Krishtit. 

Donte veç një ditë 
për të ardhur Krishtlindja 
mrekullia që pritej 
të ndodhte 
një qiri shprese 
ndezur nga pleqtë 
një pemëz, 
ca dritëza si yje 
blegërima e një qengji, 
zëri i vogëlushit 
që ende flinte brenda njeriut. 
Të gjitha këto ishin në ardhje 
duhej veç një ditë, 
1440 minuta 
por asaj veç një minutë 
i kish mbetur 
sa për t’u ngjitur 
në katin e njëmbëdhjetë 
atje ku frynte erë 
atje ku me siguri 
ca engjëj e prisnin 
me flatrat e tyre si diell.

Autorët që sillen të shqipëruar në këtë vëllim janë poetet amerikanë që nga Charles Bukowski me gjashtë poezi, Edgar Allan Poe me dy poezi, Emili Dickinson me tre poezi, Robert Frost me pesë poezi, Ezra Pound me katër poezi, James Wright katër poezi, si dhe Williams Carlos Williams, Hilda Doolittle, Edna St. Vincent Millay, Elizabeth Bishkop, Gwendeline Brooks, Philip Larkin, Derek Walcott, Sylvia Plath, Ted Kooser, Marilyn Nelson, Vijay Seshadri, Henry Cole, Martin Espada dhe anglezi Robert Graves. Libri mbyllet me intervistën e autorit dhënë për shtypin shqiptar: “Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën”. 
Gazeta "Bota sot"
Zvicër 1 gusht 2016


Libri ka 160 faqe dhe kushton
 500 Lekë / 5 $/ 5 € .
 ISBN  978-9928-04-313-9