“LIBOHOVITËT E AMERIKËS” - histori e tradita, nga K.Traboini, Pantheon 2016



“LIBOHOVITËT E AMERIKËS” - histori e tradita, nga K.Traboini
 Pantheon 2016

Libri “Libohovitët e Amerikës” është një botim i veçantë që sjell para lexuesit histori dhe fate njerëzore, por edhe kujtesën e tyre mbi traditat e qytetit të Libohovës. Autori Kolec Traboini, i cili ka përvojë në gazetari, krahas poezisë dhe prozës është dhe autor i tetë librave me ese dhe publicistikë. Për të realizuar librin për libohovitët e Amerikës ka shfrytëzuar rrëfimet e veteranit të Luftës së II Botërore nëntëdhjetë e pesë vjeçarit Vasil Malita, i cili jeton në Boston. Libri është në gjuhën shqipe, por për shkak se shumë prej historive dhe personazheve për të cilët flitet jetojnë në Amerikë është botuar pjesërisht edhe në anglisht. Libri hapet me një citim të ish Presidentit amerikan Bill Clinton drejtuar një libohoviti në Filadelfia kur ky festonte 100-vjetorin e lindjes. Le të sjellim një fragment nga ky urim i presidentit amerikan për Harry (Lame) Malitën: “Gjatë 100 vjetëve të shkuara ju ishit pjesmarrës i një kohe nga më të ndritshmet që ndonjëherë ka njohur bota.” Po kush ishte Lame Malita? Ai ishte këpucëtari i qytetit të Libohovës, i cili duke qenë me 5 fëmijë të vegjël e në varfëri të plotë në Shqipërinë e pasluftës, nuk gjente rrugë tjetër, por veç të arratisej në vitin 1945. Historia e tij dhe e tërë fisit Malita trajtohet në kapituj të veçantë të librit. Kapitujt e parë kanë të bëjnë me traditat e Libohovës, të gërshetuara këto me ngjarje e bëma historike që fillojnë nga festat popullore tek Kisha e Stojanit, jeta në mëhallat Kalista e Çuprel, fejesat e martesat, rituali i dasmës, lindjet e vdekjet, këngët e vajet, jeta dhe bota e fëmijëve me lodrat e tyre karakteristike, dashuria për profesionin e të tjera. Në vazhdim vjen kapitulli me temën e mërgimit të libohovitëve. Në Amerikë, ndër figurat më të para të njohura si veprimtar i “Vatrës” ka qenë Hamit Ruçi, i cili shkoi në Amerikë që në moshën 16-vjeçare. Është autor i një libri me poezi “Ngjarjet e tmerruara”, në të cilin demaskonte me vargje popullore krimet e andartëve grekë në jugun e Shqipërisë. Gjithashtu nga Libohova ka qenë Nexhmie Zaimi, gazetarja e parë shqiptare e “New York Times” dhe “Zërit të Amerikës”. Edhe ajo autore e një libri “Daughter of the Eagle” autobiografia në anglisht i një vajze shqiptare, libër që bëri jehonë dhe e bëri të njohur atë dhe Shqipërinë në rrethet intelektuale amerikane. Janë edhe plot mërgimtarë të tjerë nga Libohova, por mbi të gjithë spikatin pjesëtarët e fisit Malita me shpërndarje nga Worcester MA, në Boston, Cape Cod dhe në Filadelfia. Për Fisin Malita në këtë libër ka plot histori e fate njerëzore që prekin kufijtë e një shekulli dhe shtrirje gjeografike nga Shqipëria në Greqi, Rumani dhe Amerikë. Ata kanë qenë edhe biznesmenë të suksesshëm, të njohur për zinxhirin e picerive me emërtimin “New England Pizza”, që nga Worcester në Cape Cod dhe në Northeast të Filadelfias. Duke kërkuar në jetën dhe historinë e këtij fisi të madh nga Kalistaja e Libohovës, gjen ngjarje tepër interesante, por herë-herë edhe tragjike. Në faqet e librit përshkruhet fati i çuditshëm i vajzës më të bukur të Libohovës, 18-vjeçares Therjani, ka përshkrime e histori që të lenë mbresë, si ai i dy vëllezërve që morën rrugën për në Thesali aty nga viti 1900 dhe kurrë më nuk u kthyen në Libohovë. Apo ai tre vëllezërve me fund tragjik Jani, Kolo dhe Vangjel Malita e plot fate të tjera njerëzore. Ky libër paraqitet interesant jo vetëm për ata që janë në mërgim e jetojnë në Amerikë apo ata që kanë lidhje me mërgimtarët, por edhe për çdo libohovit që kërkon të njihet me pjesë të ndryshme të historisë së këtij qyteti aq i njohur për traditat dhe bujarinë e tij. Kur themi bujarinë kemi parasysh edhe një kujtim tipizues i autorit të librit për shoferin e linjave të largëta të autobusëve, Firdusi Bukali, një njeri kujtimi i të cilit ruhet nga të gjithë libohovitët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pas kapitullit në anglisht “Malita Tribe”, vjen albumi fotografik me aspekte historike apo të jetës së sotme të libohovitëve të Amerikës, i cili e mbyll librin me afro 50 fotografi.
Libri “Libohovitët e Amerikës” botohet në serialin Pantheon Books histori & tradita e sillet për lexuesit nga “Emal”, botime shqip 2016. 

© Pantheon Books Info 2016

Libri ka 228 faqe dhe kushton
500 Lekë / 5 $ / 5 €.
ISBN 978-9928-04-312-3