REQUIEM PËR NJË GJETHE, nga Kolec Traboini, poezi 2005


 REQUIEM PËR NJË GJETHE, poezi, Kolec Traboini, 
Globus R 2005, 242 poezi, f.248

…në trupin e tij e në shpirtin e tij ai i ka të regjistruara si poet mbresat e pikëllueshme nga jeta-refugjat në Greqi, të cilat i përjetoi me hallet e emigrantit dhe i gjykoi me dinjitetin e shqiptarit malësor e fisnik. Mbi të gjitha Traboini paskish qënë një poet i padukur shumë, që pati ecur mes kolegësh vetëm me fragmente shushurime. Vargjet në mërgim po bënin biografinë më të saktë të shpirtit të tij dhe të karakterit të tij shqiptar.

AGIM SHEHU, Gazeta " Illyria " # 1475, 6-8 shtator 2005, Nju Jork.



....një hulli e bukur, e ndjerë , befasuese sa spirituale aq dhe jetësore përplot nerv problematik.  Mendoj se një nga arsyet që na pelqen poezia e Traboinit është se ai nuk e kërkon atë ,  ajo vjen dhe ai s’mund ti rezistojë  ngasjes hyjnore. E shoh pezull midis qiellit dhe tokës në një përpjekje për të përzierë blunë divine  të qiellit me kafen e errët të dherave me heronj, dështakë dhe të vdekur. Dhe kjo kryhet natyrshëm,  pa sforcim, me lirizëm, gjetje tronditëse , figura të kthjellëta si ozoni pas shiut.  Ajo që të bën veçanërisht përshtypje është thjeshtësia. Traboini di të komunikojë me emocion. Le mbresë. Kuturisem të zbuloj gjendjen e tij shpirtërore aspak të favorshme për atë si individ, por të lakmueshëm si poet...




ROLAND GJOZA, New Jork,  9 dhjetor 2007