LULE PELLAZGJIKE - Kolec Traboini, poezi, Pantheon 2012

LULE PELLAZGJIKE - Kolec Traboini, poezi, 
Pantheon 2012 



PORTRETI I POETIT PËRMES VARGJEVE TË TIJ



VLLASOVA MUSTA



Është kënaqësi të marrësh njëherazi dy vëllime poetike në duar, e për më tepër, kur këto i ka shkruar i njëjti autor, që është edhe miku yt.

Jam njohur me Kolecin para shumë vitesh, gati 40 vjet më parë, kur ai u emërua me punë në Kinostudio dhe kishte fare pak kohë, që kishte botuar librin e tij të parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur“.

Më vjen mirë, që sot jam këtu, në promovimin e dy librave të rinj, që vinë pas një vargu të gjatë botimesh në prozë dhe poezi dhe që çuditërisht mua më kujtuan apo më sollën pranë freskinë, aromën dhe bukurinë e „Petaleve të bajames së hidhur“ që si një biskajë përherë e blertë, u prin gjithë atyre që erdhën dhe do të vinë pas...

Para se te them dy tri mendime rreth krijimeve për të cilat sot jemi mbledhur, në krye të fjalës, nuk mund të rri pa thënë:

Faleminderit Kolec Traboini për këta libra të përkorë që na ke sjellë, se jo vetëm janë vlerë për ty, por si të tillë, na bëjnë dritë për të folur, na lehtësojnë përzgjedhjen e fjalëve dhe mendimeve si dhe na japin mundësinë të përcjellim urimin më të mirë në ecurinë tënde krijuese.

Është mjaft lehtësuese të marrësh fjalën e të diskutosh, kur ke se për çfarë të flasësh e ku të referohesh. Siç ndodh rëndom në kësi rastesh, nis të lexosh nga njëra poezi tek tjetra dhe befas ndjen se të kanë marrë me vete, të kanë futur në magjinë e tyre dhe krahas leximit, ndjen zë, ndjen tingull dhe kaq e plotë të bëhet kjo tingëllimë, sa të duket sikur nuk ke përpara një poezi, por një qënieje të gjallë, që të flet, të zgjon, të troket e të merr pas vetes duke të shpalosur pafundësi ngjyrash, stinësh dhe ditësh njerëzore.

Poezitë e Kolec Traboinit, përcjellin ngrohtësi, kanë dhimbje, kanë trishtim, kanë brenga apo mall, po aq sa kanë edhe dritë dhe forcë dashurie. E ndoshta për këtë lexohen me një frymë, si në një rrëfenjë, ku janë të mpleksur hijshëm të gjithë elementët që i duhen për t´i dhënë ngjyrë, hapësirë dhe frymë. Përmes poezive vizatohet me një elegancë të hollë dhe tepër i spikatur, portreti i tij, bota e tij, ëndrrat e tij dhe gjithçka që përmbart në të tërën poeti Kolec Traboini.

Dhe kësisoj, nga njëra poezi tek tjetra, është pranë teje jo vetëm poeti, por njëherazi qytetari-intelektual, që s´mund të jetë indiferent dhe përmes një trishtimi njerëzor, na pohon: Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe Ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri Që të kujton dinosaurët E lartë, hijerëndë e të egër. Tani nuk kam më veç një përçik qiell E një çarçaf të verdhë Varur në ballkon si diell… Më tej, të shfaqet njeriu me shpirt të ndjeshëm, që preket qoftë dhe nga një detaj që ndesh në të përditshmen, që ka përjetuar dhe mban të ndrydhur fëmininë e jetimit, që e ndjen më mirë se kushdo tjetër këtë varfëri shpirti dhe natyrshëm thotë:



SHTËPIA E FËMIJËS Mikut tim Ilir Cumani



Një plagë

Një dhimbje

Një dashuri

Që të ndjek pas gjithë jetën

Për pëllumbat e lagur në shi

Një strehëz.



Me tjetër forcë, me tjetër zë e vetëm duke pulsuar të vjen pranë atdhedashësi, ai, që e ka atdheun tek porta, që e merr me vete kudo që shkon e që malli për të është i përhershëm e i pandashëm, i plotë dhe i dridhshëm brenda botë së tij. Ky zë gati gati si në një lëngatë thërret përvajshëm: „ma vodhën atdheun“

Ma vodhën Atdheun kur ika Ma vodhën Atdheun si të mos ish Erdh koha të ndjehem i huaj Në vendin tim kur u shfaqa sërish. E vetmja mundësi është të thërras Deri në kupë të qiellit më zërin prush: Ma vodhën Atdheun! Ma vodhën! Po këtu nuk të dëgjon më askush. e midis tyre, si një kalorës që veçse trokon e s`di të ndalet, përherë rrezëllitës e gjithëstinësh, vjen i dashuruari, e kur fjala është për dashurinë, duket se tek poeti ravijëzohen gjithë ngjyrat e ylberit, fryjnë gjithë flladet dhe erëmirat, këndojnë e cicërojnë gjithë shpendët e hapësirave qiellore dhe zemra e tij, është strehëz për të gjitha, është fyell, kambanë, trumbetë që bie e troket në çdo stinë. Është një e vërtetë e dëshiruar prej kujtdo e për më tepër e një shpirti artistik siç është poeti, që të jetojë bashkë me dashurinë, ndaj ai përsërit:



Nëse viktimë quhet një vajzë

Që unë në kupë kërkoj ta pi

Ma merrni jetën pa mëshirë

Se sa të rroj pa dashuri.



Ose në një tjetër poezi, ai thotë:



Nuk e di, nuk e di

pse dashuria më shfaqet

si Dielli

që del e më ngroh

bash atë çast

kur shpatullat i kam

më të ngrira.



Kolec Traboini është poeti dhe shkrimtari në kërkim të një motivi të ri, përherë i prekshëm dhe i ndjeshëm, përherë i freskët dhe me ngjyrë e kështu do ta kemi pafundësisht, se ai ka tharmin e krijimit, të pjekjes e të lindjes, të mrekullisë që sjell krijimi që buron nga shpirti, i lirë, i pastër dhe tingullshumë.

Botuar në gazetën "Telegraf"
Tiranë 3 prill 2014  f. 19.