DASHURI, K. Traboini, 200 lirika dashurie, Pantheon 2013

“DASHURI”,  K. Traboini, lirika dashurie, 
Pantheon Books 2013
 

TRABOINI  DHE LIRIKA MODERNE
FATMIR TERZIU

E ndjejmë atë tek “Tri vjeshta” dhe e pikasim në simbolikën poetike të “drurit të mollës” që zhvishet, duke hedhur tek këmbët e poetit edhe gjethen e fundit. E ndjejmë deri në momentin më intim, ku poeti riskon me natyrën të turbullojë ndjesinë tone. Këtu është pastaj fjala. Fjala mbërthen situatën. Dhe situata energjetikisht kaplohet nën ritëm puthjesh, “frutash të pjekura si diej që zhyten muzgjeve në det” dhe mjaft të përshkruhet “lakuriqësia” drithëruse që të fiksohet në mendjen e lexuesit e gjitha ajo që krijon poeti në pak fjalë.
Traboini është poet i racionuar. Jo në varg. Jo në fjalë. Ai është i racionuar në shpjegimin e fjalës poetike. Traboini nuk e sjedh atë në guzhinën e lexuesit. As nuk e lë atë në dhomën e pritjes. Fjalën e Traboinit e gjejmë bashkëudhëtare në një rrugëtim të gjatë. Kjo është arsyeja që fjala poetike e tij është jo e gatshme, jo e hulumtuar, por e gatuar në brumin e madh të eksperiencës dhe njohurive të tij. Traboini ka shumë arsye të tjera të quhet racionues. Po të lexosh “Itaka Grua” natyrshëm e kupton qartë atë. Fjala poetike e tij vjen në mënyrë filozofike dhe thotë më shumë se sa është. Këtu kuptohet qartë edhe arsyeja e mirëfilltë e mosdhënies së saj të gatshme në sytë e lexuesit, por si një arsye më shumë për tu gatuar në mendjen e tij, pra lexuesit që e dashuron poezinë e vërtetë.
Teksa lexojmë “Gjinj Çamërie” në plan të parë sforcohemi në racionimin shpjegues të Traboinit. Ndjehemi disi në mes një rrugëtimi historik dhe një lajtmotivi gjeografik që ushqehet nga sipërorja femërore e mbursur në kulturën e zgjedhur të fjalës profil. Në këtë fjalë profil gjejmë ‘Egjeun tek këmbët dhe ishujt e Safos përballë…”. Pra ne si lexues të mirë të saj e situatojmë poezinë dhe pastaj e shtrydhim kuptimin e saj. Kuptimi i saj vjen emocional, teksa fenomeni natyror mishërohet me grupfjalën stigmë dhe prodhon situatën e duhur të kuptimit ‘trojehumbur’ dhe më tej të hapësirës jo thjesht gjeografike apo diamensionale të vargjeve që jepen fuqimisht: “me pak liqen Shkodre që shoh nga kargësitë/si një pasqyrë ku shihen Zotat/e krihen zanat e Bjeshkëve të Namuna”.
Por poezia e realizuar nën titullin “Itaka Grua” ka edhe mjaft arsye të tjera të jetë një poezi e vlerësuar. Ajo vjen në gjuhën e saj dhe shoqërohet në tre gjuhë të tjera. Ajo flet mirë dhe bukur edhe në anglisht, frëngjisht dhe italisht. Edhe komentet e shumta të lëna për këto poezi nën emblemën poetike “Itaka Grua” pothuajse shënojnë këtë mendim. “Itaka Grua” kësisoj ka marë vlerat e një kompleksi poetik bashkëkohor, jo thjesht se ajo sidhet nga autori për lexuesin në disa gjuhë, por se ajo është kompleks lirikash moderne. Në plan të parë ajo është në një lloj me poezinë e poetit francez Sharl Bodler, që njihet edhe si babai i poezisë moderne evropiane. Dihet se vepra e Bodler, “Lulet e së keqes” është vepra e parë e poezisë moderne evropiane dhe njëra ndër veprat poetike më të mira të shkruara ndonjëherë në traditën e lirikës. Mjafton të sjellim këtu vjershën “Korrespondimet” të kuptojmë mirë atë që pikëlidhet me Bodler: “Natyra është tempull që nga shtylla të gjalla/nxjerr ngandonjëherë fjalë të pakuptueshme/ti kalon aty n’male simbolesh t’afrueshme/që t’vështrojnë me shikime miqësisht të rradha/si jehona të gjata që prej s’largu ngatrrohen/në një njësi të thellë edhe fare t’gjerë/si nata dhe si qartësia e madhe t’gjerë/parfumet, ngjyrat dhe tingujt bashkëkuptohen…”. Shumë poezi të Traboinit janë një ngjashmëri vlerash me ato që përbëjnë këtë vepër, sidomos me poezinë që solla këtu nga Bodler. Mjafton të lexosh “Lirika në detin e sirenave”; “Tundimet e Circës”; “Sisët e anave”; “I dashuruar me një karficë”; “Parfum roman”; “Lotët e grave”; “Zhvishu”; “Takim në Paris” etj të krijosh një ide të plotë me poezinë e Bodler dhe madje edhe me poezitë e poetëve Artur Rembo dhe Stefan Malarme, që quhen nga kritika dhe analistët si poetë po aq të rëndësishëm, pasi modelet dhe llojin e lirikës së tyre i ndjekin shumë poetë të Evropës dhe kontinenteve të tjera.
Lirika moderne dihet tashmë është një nga më të vlerësuarat. Ajo është si një thyerje e traditës poetike, realizohet nga mjaft njerëz sot që tentojnë poezinë dhe madje edhe në hapësirën internetike shihen shumë krijime të kësaj natyre, por që në thelb ende se kanë formën e duhur të kësaj poezie. Sepse siç ndodh gjithmonë në krijimtarinë shqiptare, thyerjet, sado të mëdha të jenë, asnjëherë nuk shkëputen plotësisht nga tradita. Këtë e di mirë edhe Traboini ndaj në vëllimin e tij të ri ai e sjedh këtë nëpërmjet poezive “Gjak Blu”; “Poetika”; “Shanel”; “Maria Laforet” etj. Por edhe poezia e lëvruar nga Traboini i përket një rruge të gjatë e të njohur. Themi kështu se mjaft poezi janë në një natyrë me arritjet e vlerësuar në këtë fushë. “Kanonciera” e Françesko Petrarkës mund të shihet si një korrespondim me atë që thamë më lart.
 Por në thelb poezia lirike e Traboinit ka një ngjashmëri edhe me poezinë e S. Hamitit, një poet që ka vlerat e veta në letërsinë shqiptare. Kështu poezia “Telefoni” e shkëputur nga vëllimi poetik i Hamitit “Trungu Ilir”, është një arsye më shumë për të gjetur atë që gjejmë tek Traboini. Le të shohim vargjet e Hamitit “Bota ka rënë në gjumë,/vdes telefoni./qafa e tij përmbyset mbi tavolinë./as zëri/aloo.”, të kuptojmë lidhjen me “Shanel’ apo edhe më tej. Së pari, këtu shihet ajo që në thelb ka transformuar poezinë lirike sot, ndjenja e hollë romantike që shkon deri në kufijtë e dhimbjes e të pikëllimit, zëvendësohet me ftohtësinë dhe këmbënguljen për të qenë deri në fund e pakuptueshme. Brenda vargut ose njësive më të mëdha, poezia e Traboinit afron koncepte të largëta e të papritura, që vështirë kanë sugjerimet e mundshme, ajo pra siç e thashë edhe më lartë, nuk shpjegon, nuk tregon.
Tematika e poezisë së Traboinit tek “Itaka grua” shpesh është e zakonshme, kurse synimi i saj shkon që nga loja e fjalëve deri te përpjekja për të zëvendësuar filozofinë. Ajo pëmban në vetvete paradoksin midis kërkesës që nuk arrin të shprehet, dhe synimit për të përfshirë gjithshka brenda saj.
Por kjo lloj poezie nuk e largon poetin Traboini nga kultivimi edhe më tutje i poezisë tradicionale, madje edhe të asaj moderne që shpesh herë është shumë afër asaj tradicionale. Ka disa poezi ku Traboini përdor vargun e matur ose disa lloje vargjesh, me një ngjashmëri me sonetin që prej disa penave poetike shqiptare shkruhet me ambicie të mëdha poetike.
Poezia e Traboinit, fryma e saj tipike ndikon në gjithë poezinë që krijohet sot.

 _____________________________________________________

 VLERËSIME NË SHTYP


"...Është një poezi joshëse, e cila lexohet me ëndje, që s'ka nevojë për zbërthime të mundimshme kuptimesh. Është e vetinterpretueshme, e plotë, e përmbyllur në vete, me një fjalë – e vetmjaftueshme. Kolec Traboini është një mjeshtër i rimës. Lehtësia me të cilën e funksionalizon estetikisht rimën, por edhe figurat tingëlluese dhe përsëritëse, frazeologjinë shqipe, janë mahnitëse.“ 
- "Koha javore" Podgoricë,  6 shkurt 2014, nr. 602.
-“Kolec Traboini vjen me poezi, mjaft elegant, ndërsa shpirti i madh dhe i bukur i poetit, shpalos të gjithë materialin e tij.”
Gazeta “Shqiptarja.com” online Tiranë 15 shkurt 2014
-“...Lexohen me një frymë...Përmes poezive vizatohet me një elegancë të hollë dhe tepër i spikatur, portreti i tij, bota e tij, ëndrrat e tij dhe gjithçka që përmbart në të tërën poeti Kolec Traboini. “-  
 Gazeta "Telegraf" Tiranë 3 prill 2014  f. 19.
 
 

Libri është 280 faqe dhe kushton 
1000 lekë / 10 $/ 10 €