MOS VDIS DASHURI, poezi, Kolec Traboini 2002





Poezi e frymëzuar nga sfidat e kohës
                                   
                               Nga ANTON ÇEFA
                              Editor i gazetes "Dielli",  New York

Mbas vëllimit poetik “Mos vdis dashuri”, poeti, prozatori dhe publicisti Kolec Traboini paraqitet para lexuesve me përmbledhjen poetike “Nokturn”, botuar kohët e fundit në “Globus R.”, Tiranë.
        Një larmi e madhe motivesh është përfshirë në pesë cikle; “Antikohë”, “Shen Valentini poet”, “Vjeshtë italiane”, “Portat e dritës” dhe “Epistolar poetik”.
        Lirizmi i derdhur në hulli shtjellimesh epike të pasura me detaje të shumta e të larmishme, apo edhe e kundërta, epizmi i shtrirë në brazda të hirshme lirike bartin në vetvete një informacion të dendur jetësor, emocional dhe  meditativ, duke krijuar tablo plot ngjyrime realitetesh shpesh me nota dramatike, të cilat i huazojnë poezisë strukturën kompozicionale të natyrës së baladave, gjë që i jep asaj vlera të veçanta estetike.
       Takohen në poezi motive të reja, apo, së paku, të trajtuara në mënyrë të re, me vulën e origjinalitetit që ua dikton rrëmuja sfiduese e kohës. Në prehërin e këtyre motiveve veçohen sidomos ato që lidhen me mërgimin dhe me shprishjen e vlerave humane etnike apo edhe universale. Kështu, nëpër arteret e vargjeve e të strofave – atje ku poeti “flet me yjet e pikëllimit” ngjet të kullojë një dhimbje e thellë për atë çfarë po ndodh me njeriun, jo vetëm në atdhe, po  edhe kudo në botë - dhimbja e thekshme humane që buron nga dashuria e madhe për njeriun dhe njerëzimin, atdheun e botën.
         Tek “Antikoha”, me tonalitete ironike që kalojnë në të gjitha shkallët e satirës deri në sarkazëm e grotesk, poezia e Traboinit fshikullon shpesh me një thupër të vishkullt e shpesh e ma shpesh më një kamxhik idhnak plot mllef atë çka përjeton më të hidhur bota shqiptare sot: korrupsionin që s’njeh kufi, prostitucionin neveritës, katrahurën e politikës dhe moralin e rënë. Me një temperament poetik shpërthyes dhe me ngulitjen e objektit poetik në shtresimet më të çoroditura të realitetit të ditëve tona, poezitë e këtij cikli rrugëtojnë në vazhdën e poezisë shqipe të Migjenit dhe, përgjithësisht, të poezisë sonë të viteve  ’30.
Duke ndryshuar objekti poetik i motiveve, nga cikli në cikël, ndryshojnë edhe tonalitetet e shprehjes figurative, figuracioni bëhet më i kadiftë, siç e kërkon bukuria e ndjenjës dhe freskia e burimeve të frymëzimit dhe, aty-këtu, shijohen pasazhe meditative dhe shprehje sentencioze të qëlluara.
“Shen Valentini poet”- është erotika në frekuencat e larta të një përjetimi sensual si e vetmja alternativë, “Alternativë tjetër, në këtë botë, nuk ka” (f. 66). Ndërsa, “Vjeshtë italiane” të kujton Migjenin që pikëllohej, vuante dhe revoltohej në vargun “vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona”.
Në Ciklin tjetër “Porta e dritës, “gjithmonë gjendet një portë/…/në shteg të dritës që të bjerë/ çdo i gabueshëm i kësaj bote” (151), një portë ku humori për “gabimet” fiton mjaft hapësirë.
“Nokturn” mbyllet me një tubëz lule-letrash dërguar  shoqërisë e miqësisë, ku është ravijëzuar kryesisht “meraku i kurrëmoskthimit”, lidhur në fjongun e një “Epistolari poetik”.
Një venë e fuqishme liriko-epike-dramatike që rrjedh në zemren dhimbjemadhe të një poeti emigrant ësht ajo që lidh në një të gjitha ciklet dhe që e karakterizon, më së shumti, poezinë e Traboinit.
  Në fund, me nëntitullin “Impresione”, autori ka përfshirë mbresa nga shkrimtarë e lexues për krijimtarinë e tij poetike.
     Më ngjan sikur licencioziteti, jo vetëm në fjalorin “açik” siç thotë poeti për Pushkinin (f. 68), por edhe në momente e skena açike, që nuk mungojnë, e lëndon dinjitetin e frymëzimit poetik. Mendoj, gjithashtu, që një punë më  e kujdesshme në vendosjen e renditjen e poezive në cikle dhe shmangia e ndonjë poezie do ta lehtësonte vëllimin, duke ndikuar në rritjen cilësore të tij.

Botuar ne "Dielli" vol.95 Nr.3 2004 dhe "Illyria" Nr.1396 19-22 Nentor 2004. 
Ne kete te fundit shoqerohet  me fotografi dhe me 10 poezi nga libri "Nokturn".



MOS VDIS DASHURI, poezi, Kolec Traboini 2002 f. 154.

Vëllimi poetik “Mos vdis dashuri” nuk është asgjë tjetër veç se një kopje e rregjistrimeve jetësore në hapsirën e bardhë të shpirtit të Kolec Traboinit.
Në dy anët e peshores së drejtësisë së tij poetike gjenden të ekulibruara dashuria për botën dhe shqetësimi qytetarë për kohën që jetojmë.
Koncepti filozofik i autorit shtrihet përtej dhimbjes që krijoi gjuha e politikës moderne. Për të universi nuk është perfekt dhe kjo joperfektësi rritet në një laborator tepër të komplikuar njerëzor. Ndaj “Trok pa kthim” na jepet më tepër si evidencë e pagjumësisë bashkëkohore sesa si një medikament për ta kuruar atë.

GJEK MARINAJ, Dallas USA, 20 Janar, 2002


PS: Not for sale, it is not in stock /
Nuk gjëndet në shitje/Back in front.