RRËFIMET E DJALIT NGA HOTI
-Refleksione për librin “Djali nga Hoti” të Kolec Traboinit –
Gazeta "Nacional" 14 qershor 2015
Nga Sazan GOLIKU
Një fletore hartimesh në frëngjisht e një nxënësi (më saktësisht të babait
të vet) të vitit 1905, i kanë shërbyer Kolec Traboinit për të krijuar një
libër me 29 rrëfime për fëmijë, çfarë shënon prurje të re, anipse rrëfimet janë
të hershme të një kohe mbi një shekullore, por për shkak të veçorive të moshës
nuk duket dhe aq larg. Bota e fëmijëve në të gjitha kohërat ka edhe të
përbashkëta, si ëndërrimet, miqësinë, dashurinë, respektin, dëshirën për
zbavitje dhe etjen për dije, siç shkruan autori Traboini në rrëfimin e parë në
hyrje “Rrëfim i vogël për atin tim”.
Letërsia për fëmijë e shekujve të kaluar lexohet aq mrekullisht edhe
sot. Teknika dhe teknologjia e ka lehtësuar jetën, por nuk e ka ndryshuar shumë
njeriun, i cili shpesh i lodhur nga jeta moderne, ku gjithçka vrapon pa të lënë
kohë as të soditësh hënën e yjtë, zogjtë në fluturim, kaprojtë në pyll,
lëndinat me lule, krahët e fluturave, xixëllonjat e buzëmbrëmjes, lulëkuqet e manushaqet.
Pra, në këtë lodhje ai shpesh i kthehet natyrës plot dëshirë. Dhe natyra nuk
ndryshon dhe aq në kufijtë e një shekulli. Ajo është shlodhëse dhe frymëzuese.
Në natyrë njeriu gjen prehje e gëzim dhe në rrëfimet e një kohe të largët vihet
re më shumë prania e natyrës se sa e teknikës dhe makinave që herë herë nëpër
qytete të zënë frymën. Rrëfimet janë të gjitha të ilustruara dhe i takojnë asaj
moshe kur fëmijët kanë mësuar të lexojnë dhe dëshirojnë edhe ata të kenë
bibliotekën e tyre me libra të formatuar si ato të rriturve.
Libri “Djali nga Hoti”, nga kjo malësi shqiptare e ndarë në mes të dy
shteteve Shqipërisë e Malit të Zi, e dënuar të jetë dy gjysma, shpalos rrëfenjë
pas rrëfenje ndodhi që e mbushin jetën e fëmijëve me mbresa të pashlyeshme nga
koha kur kjo ndarje ende nuk kishte ndodhur. Ky libër plotëson një zbrazëti,
atë të periudhës së jetës së fëmijëve shqiptarë para pavarësisë, me ngjarjet,
mendimet, botën dhe ëndërrimet e tyre.
Titulli i librit është mjaft domethënës, sepse personazhi që rrëfen
ndodhitë është një djalë nga Hoti që ka zbritur në Shkodër për të mësuar në
Shkollën Teknike Tregtare Italiane, ku mësohej gjuha shqipe krahas gjuhëve të
tjera. Rrëfimet janë të shkurtra, subjektet janë të thjeshta duke përfshirë ato
që ndërtohen si fabula, të cilat kanë për bazë cilësitë morale që duhet të
fitojë një fëmijë, e mira dhe e keqja, jeta në Malësi me vështirësitë e saj,
por edhe ngjarje nga qyteti i Shkodrës, gjithnjë të lidhura me botën e
fëmijëve.
Veç djalit nga Hoti, që është rrëfimtari, libri ka personazhe, të mirë por
edhe ndonjë me vese, njerëz me shpirt të madh, por edhe kurnacë e
gënjeshtarë. Bie në sy edhe ndjenja e miqësisë mes nxënëseve, të cilët e
ndihmojnë njëri-tjetrin, si dhe dashuria dhe respekti për mësuesit e shkollës.
Një rrëfim tregon për ditën e karnavaleve të qytetit, një tjetër se si pa
pritur ra zjarr në shkollë. Ka dhe ndonjë aventurë të rrezikshme kur nxënësi
Mateo me babanë e vet mbetën të bllokuar nga ariu në pyll ose në rrëfimin “Ujku
në mal” që tregon çfarë ndodhi kur Pali u gjend i sulmuar nga ujku, fabulat për
fluturën dhe mizën etj. Në mendje të mbesin Toma, vogëlushi bujar që dhuratën e
ditëlindjes së vet ia fal një të varfëri, shëtitja e Luizës me babanë në
pranverë, Gjergji dhe bërthama e pjeshkës, Gjoni, fëmija i pabindur,
ndarja me mësuesin, festa në Malësi, marangozi i ndershëm që riparon dollapin e
vjetër, një tregim për Gjergj Uashingtonin kur ishte fëmijë etj.
Ky libër ka dhe magjinë e vet; me thjeshtësinë në të shkruar, me ato
ngjarje të pabujë që e rrethojnë jetën e nxënësve, të mbushur me mbresa, do t’i
nxisë lexuesit e vegjël të tregojnë e shkruajnë edhe vetë, sepse kësisoj ata do
të mësojnë të rrëfejnë e kjo është shkolla e parë në krijimtari për ata,
të cilët ëndërrojnë që kur të rriten të bëhen pse jo edhe shkrimtarë.
Libri "Djali nga Hoti" ka 124 faqe dhe kushton
400 Lekë / 4 $ / 4 €.
ISBN 978-9928-04-259-0
ISBN 978-9928-04-259-0
“DJALI NGA HOTI” – NJË NGA LIBRAT MË TË MIRË PËR FËMIJË
Rrëfimet e librit "Djali nga Hoti"
i Kolec Traboinit vijnë nga periudha kohore të 100 viteve më parë.
Ata janë mbështetur në hartimet shkollore të babait të tij Palok Traboini
ish-nxënës i shkollës Tregtare Italiane, i cili solli përmes Dalmacisë flamurin
që u ngrit në Deçiq më 6 prill të vitin 1911. Shkrimet vijnë nga viti 1905 me
disa modifikime e plotësime siç e ka zakon Kolec Traboini me penën e tij të
lehtë si gjeth por edhe me peshë të rëndë si guri. Libri i thjeshtë edhe për
kompozimin, ilustrimin dhe në tërësi grafikën e përdorur, është një model për
kohën. Faqet e librit të impresionojnë, të shëtisin në tablotë e bukura
natyrore të malësive, të stinëve të vitit, në galeritë e personazheve që janë
të moshave të ndryshme, por mbizotëron bota e fëmijëve. Gjithçka e
parë nëpërmjet personazhit rrëfimtar Palok Traboini në fëmijërinë e tij, nëna
Nora dhe mësuesi i italishtes Andrea Skanjeti, burri i Motrës Tone. Në libër
spikatin më së shumti ngjarje dhe personazhe reale, të cilët janë
bashkëmoshatarë, kryesisht të vuajtur, por të ndershëm. Janë rrëfime për
fëmijë, që me shumë mjeshtëri e pa u dukur në fundin e secilit shkrim, çdo
lexuesi i jep diçka të vlefshme për jetën, kurdo e kudo që i nevojitet.
Do t’i thosha edhe Ministres së Arsimit se duhet që ky
libër të plotësojë bibliotekat e shkollave, sepse është një nga librat më të
mirë për fëmijë. Mos t'ju dridhet fare dora për ta futur në katalogun e librave
të leximit jashtë klase. Dëshiroj që ky propozim të mos mbetet në vesh të
shurdhër. Lexim të këndshëm.
FAIK XHANI
mësues
Tiranë, 29 dhjetor 2015