MITI i HOTIT-nga Kolec Traboini, Pantheon 2017


MITI i HOTIT- nga Kolec Traboini, 
Pantheon 2017

HOTI, NJË MIT QË KRIJOJ HISTORIA
Nga Sazan Goliku

“Miti i Hotit”, i Kolec Traboinit  është një libër-ese për një nga krahinat e Malësisë së Madhe ndër më të njohurat në histori. Dhe pse i lindur e rritur larg Traboinit, nga ku e ka prejardhjen, autori i librit asnjëherë nuk prajti duke shkruar shkrime të ndryshme rreth figurave e ngjarjeve mbresëlënëse të Hotit që ka qenë gjithmonë nderi e krenaria e mbarë Malësisë së Madhe. Kur mblidheshin burrat e maleve në kuvende, gjithherë vendosnin në krye të vendit një burrë nga Hoti. Del në krye i thoshnin Çun Mulës, del në krye Dedë Gjo Luli, del e priji kuvendit  Deli Meta. Po pse ky nderim kaq i madh. Pse kanë mbetur proverbiale fjalët e gojëdhënës popullore “Pushka e Hotit e dora e Zotit”. Që në fëmijërinë e tij autori ka dëgjuar rrëfime për madhështinë e trimërinë e Hotit dhe malësoreve hotjanë, çfarë e ka shtyrë të kërkojë edhe më tej për të kuptuar enigmën e lavdisë së kësaj treve me përmasa legjendare. Këndohej dikur nga populli i mbarë Malësisë dhe i Shkodrës “Nuk janë topat e Ulqinit, por janë djemtë e Traboinit”, vargje të krijuara në vitin 1878 kur Hoti e Gruda u ngritën me armë në dorë kundër vendimit të fuqive të mëdha për t’ia dhëne Hotin e Grudën fqinjëve të veriut. Topat e Ulqinit nuk ishin asgjë më shumë, por anijet angleze që duke qëlluar me topa brigjet i bënin presion shqiptarëve t i lëshonin pe Shqipërisë.
Libri “Miti i Hotit” merret me histori, por nuk shkruan histori, dhe aty ku e prek historinë, nuk e merr në kronologji, por ndalon në ato nyje e pikëtakime ngjarjesh nëpërmjet të cilave kërkon të përçojë ide a mendime mbi zhvillimet historike dhe bëmat e heronjve malësorë. Apo në ato raste kur kërkon të sjellë në vëmendje ngjarje e figura që mund të jenë edhe krejt të panjohura për lexuesit e pasionuar të librave me temë historike.
Një temë trajtese është edhe prejardhja e Hotit, ku polemizohet me një historian si dhe për disa saktësime për Flamurin e Deçiqit, i ngritur në një grumbull gurësh në Bratilë të Hotit me 6 prill 1911, por si mal, Deçiqit i takon Grudës dhe është pika dominuese mbi tërë fushën e Tuzit. Trajtohen edhe jeta e disa figurave historike, veçmas të familjes së Ded Gjo Lulit që u shua e tëra për Atdhe. Kësisoj Hoti shihet si një mit që e legjendarizoi trimëria e cilësia luftarake e malësorëve hotjanë, por që u dëmtua shumë nga ndarja  e Hotit nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1913. Pas luftës së dytë botërore me krijimin e sistemeve komuniste në dy anët e kufirit, nisi në mënyrë sistematike platforma për rrënimin e mitit të Hotit, kësaj krahine me emër të madh në histori. Në libër sillen ngjarje e figura historike, një nga ato është jeta tragjike e luftëtarit nga Hoti Nikoll Gojçi, i cili në moshën njëzet e gjashtë vjeçare ishte emëruar Komandanti i batalionit të 3 të brigadës së I sulmuese, i cili tregoi trimëri të pashoqe në luftë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, por u vra tradhtisht prapa shpine nga komandanti i kësaj brigade Mehmet Shehu. Është po ky  gjakësor i cili me dorën e vet disa vjet pas lufte vrau edhe një hotjan tjetër, Kol Maçin e Hotit.
Megjithëse me volum të vogël, në 126 faqe, ky libër është mjaft i ngjeshur e i pasur me ngjarje e fate njerëzore. Në krye të gjithave është  një ese për historinë shkruar me ndjesi të thella dhe shpreh një dashuri të madhe për trojet e të parëve, me krenarinë  për lavdinë, por edhe me dhembje për fatin tragjik të shqiptarëve trima të Malësisë së Hotit të cilët kurrë nuk u përkulën sepse çdo bir a bijë e kësaj treve me bëma heroike ne histori kudo ku gjendën nëpër botë janë krenarë për të parët e vet, për fisin, rrënjët e degët e gjithherë i dëgjon të thotë, unë jam prej Hoti e Hoti është kudo ku ndodhëm unë e gjaku që rrjedh prej meje, duke mishëruar kësisoj thënien e pavdekshme të  shkrimtarit të madh arbëror Marin Barletit në vitin 1510, gjithsekush, shkon në rrjedhën e gjakut të kombit të vet. Duke pasur këto fjalë të arta që vinë prej shekujve si një udhërrëfyes për librin e vet të tridhjetë si autor, poeti dhe eseisti Kolec Traboini ka sjellë një vepër koncize me mësimin e madh se si një brez duhet të mbështetet fort të një tjetër. Kryekreje në këtë vepër eseistike mbi historinë e Hotit, këtë mit që e krijoi historia e u përpoqën ta rrënojnë sistemet absurde, të shfaqet fuqia mbresëlënëse e shëmbëllesës së të parëve te pasardhësit. 

Libri ka 128 faqe dhe kushton
400 Lekë / 5 $/ 5 €. 
ISBN 978-9928-04-352-8

“LIBOHOVITËT E AMERIKËS” - histori e tradita, nga K.Traboini, Pantheon 2016



“LIBOHOVITËT E AMERIKËS” - histori e tradita, nga K.Traboini
 Pantheon 2016

Libri “Libohovitët e Amerikës” është një botim i veçantë që sjell para lexuesit histori dhe fate njerëzore, por edhe kujtesën e tyre mbi traditat e qytetit të Libohovës. Autori Kolec Traboini, i cili ka përvojë në gazetari, krahas poezisë dhe prozës është dhe autor i tetë librave me ese dhe publicistikë. Për të realizuar librin për libohovitët e Amerikës ka shfrytëzuar rrëfimet e veteranit të Luftës së II Botërore nëntëdhjetë e pesë vjeçarit Vasil Malita, i cili jeton në Boston. Libri është në gjuhën shqipe, por për shkak se shumë prej historive dhe personazheve për të cilët flitet jetojnë në Amerikë është botuar pjesërisht edhe në anglisht. Libri hapet me një citim të ish Presidentit amerikan Bill Clinton drejtuar një libohoviti në Filadelfia kur ky festonte 100-vjetorin e lindjes. Le të sjellim një fragment nga ky urim i presidentit amerikan për Harry (Lame) Malitën: “Gjatë 100 vjetëve të shkuara ju ishit pjesmarrës i një kohe nga më të ndritshmet që ndonjëherë ka njohur bota.” Po kush ishte Lame Malita? Ai ishte këpucëtari i qytetit të Libohovës, i cili duke qenë me 5 fëmijë të vegjël e në varfëri të plotë në Shqipërinë e pasluftës, nuk gjente rrugë tjetër, por veç të arratisej në vitin 1945. Historia e tij dhe e tërë fisit Malita trajtohet në kapituj të veçantë të librit. Kapitujt e parë kanë të bëjnë me traditat e Libohovës, të gërshetuara këto me ngjarje e bëma historike që fillojnë nga festat popullore tek Kisha e Stojanit, jeta në mëhallat Kalista e Çuprel, fejesat e martesat, rituali i dasmës, lindjet e vdekjet, këngët e vajet, jeta dhe bota e fëmijëve me lodrat e tyre karakteristike, dashuria për profesionin e të tjera. Në vazhdim vjen kapitulli me temën e mërgimit të libohovitëve. Në Amerikë, ndër figurat më të para të njohura si veprimtar i “Vatrës” ka qenë Hamit Ruçi, i cili shkoi në Amerikë që në moshën 16-vjeçare. Është autor i një libri me poezi “Ngjarjet e tmerruara”, në të cilin demaskonte me vargje popullore krimet e andartëve grekë në jugun e Shqipërisë. Gjithashtu nga Libohova ka qenë Nexhmie Zaimi, gazetarja e parë shqiptare e “New York Times” dhe “Zërit të Amerikës”. Edhe ajo autore e një libri “Daughter of the Eagle” autobiografia në anglisht i një vajze shqiptare, libër që bëri jehonë dhe e bëri të njohur atë dhe Shqipërinë në rrethet intelektuale amerikane. Janë edhe plot mërgimtarë të tjerë nga Libohova, por mbi të gjithë spikatin pjesëtarët e fisit Malita me shpërndarje nga Worcester MA, në Boston, Cape Cod dhe në Filadelfia. Për Fisin Malita në këtë libër ka plot histori e fate njerëzore që prekin kufijtë e një shekulli dhe shtrirje gjeografike nga Shqipëria në Greqi, Rumani dhe Amerikë. Ata kanë qenë edhe biznesmenë të suksesshëm, të njohur për zinxhirin e picerive me emërtimin “New England Pizza”, që nga Worcester në Cape Cod dhe në Northeast të Filadelfias. Duke kërkuar në jetën dhe historinë e këtij fisi të madh nga Kalistaja e Libohovës, gjen ngjarje tepër interesante, por herë-herë edhe tragjike. Në faqet e librit përshkruhet fati i çuditshëm i vajzës më të bukur të Libohovës, 18-vjeçares Therjani, ka përshkrime e histori që të lenë mbresë, si ai i dy vëllezërve që morën rrugën për në Thesali aty nga viti 1900 dhe kurrë më nuk u kthyen në Libohovë. Apo ai tre vëllezërve me fund tragjik Jani, Kolo dhe Vangjel Malita e plot fate të tjera njerëzore. Ky libër paraqitet interesant jo vetëm për ata që janë në mërgim e jetojnë në Amerikë apo ata që kanë lidhje me mërgimtarët, por edhe për çdo libohovit që kërkon të njihet me pjesë të ndryshme të historisë së këtij qyteti aq i njohur për traditat dhe bujarinë e tij. Kur themi bujarinë kemi parasysh edhe një kujtim tipizues i autorit të librit për shoferin e linjave të largëta të autobusëve, Firdusi Bukali, një njeri kujtimi i të cilit ruhet nga të gjithë libohovitët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pas kapitullit në anglisht “Malita Tribe”, vjen albumi fotografik me aspekte historike apo të jetës së sotme të libohovitëve të Amerikës, i cili e mbyll librin me afro 50 fotografi.
Libri “Libohovitët e Amerikës” botohet në serialin Pantheon Books histori & tradita e sillet për lexuesit nga “Emal”, botime shqip 2016. 

© Pantheon Books Info 2016

Libri ka 228 faqe dhe kushton
500 Lekë / 5 $ / 5 €.
ISBN 978-9928-04-312-3