KATËRKËNDESHI I MUNDIMEVE, prozë Kolec Traboini
Globus R 2000, 102 faqe.
Autori i këtij libri për shume vite ka punuar
në kinematografi në seksionin e filmave dokumentarë ku profesioni i ka dhënë
mundësi të njihte realitetin anë e kënd Shqipërisë dhe të përjetonte dukuritë e
shoqërisë së shtypur e të ndrydhur shqiptare. Në një projektfilm dokumentar, në
verë 1990, ai pëson "disfate" krijuese sepse objekti ku ai kish nisur
xhirimet e filmit "Fluturimi i pëllumbave", shkolla e korrektimit për
adoloshentët, në periferi të Tiranës, u shkatrrua si institucion për ti lënë
vëndin forcave të sigurimit të shtetit monist që po jetonte grahmat e fundit të
jetës së vet të dhunëshme.
Fletet e skenarit, që ishin një dramë e gjallë
e fateve njerëzore, shpesh herë të sakatuara prej fatit dhe pushtetit absurd,
autori nuk i la në sirtar, por i hodhi në faqet e një libri, të cilin kritika e
ka quajtur me të drejtë se nuk është roman, sepse i mungon një hapësirë e gjerë
ngjarjesh të mpleksura rreth një boshti; por nuk është as tregim a përmbledhje
tregimesh, sepse nuk shtjellohen ngjarje të veçanta e të shkëputura. Autori i
ka quajtur shkurt "Rrëfim" ato "fletë skenari" të një filmi
të parealizuar që në saj të idese që mbartin e falë një narracioni situatash
dramatike nga bota e adoloshentëve, ku përdoren me mjaft sukses edhe figura
letrare të gjetura artistikisht, bëjnë që libri të të mbajë të tensionuar deri
në fund.
Katërkëndëshi i mundimeve .....e kam lexuar me
vëmendje. Ai më ka dhënë mundësinë ta shoh Shqipërinë moniste nga një këndvështrim
të ri, me "sy të rinj", dhe të depërtoj më thellë në botën e frikshme
shpirtërore që krijoi diktatura. Ishte kjo vërtetë një botë surrealiste, të
cilën ju e vizatoni me mjeshtri artistike dhe në mënyrë mjaft origjinale. Me të
drejtë ju përmendni ferrin e Dantes, sepse e merrni lexuesin përdore dhe i
tregoni atij vuajtjet e tmerrshme që pëson njeriu dhe shoqëria kur mungon liria
dhe komandon tirania.
Nuk e di çfarë pritje ka patur libri juaj nga publiku shqiptar në Amerikë, por unë them se ai meriton të lexohet gjerësisht; madje më se një herë.
Nuk e di çfarë pritje ka patur libri juaj nga publiku shqiptar në Amerikë, por unë them se ai meriton të lexohet gjerësisht; madje më se një herë.
Prof. PETER PRIFTI,
San Diego, Kalifornia,
7 shkurt 2001